Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave po heton rreth pesë rasteve që pësuan reaksione alergjike nga vaksina Pfizer Inc dhe BioNTech kundër COVID-19.
Dr. Peter Marks, i cili është drejtori i qendrës së FDA-së për Vlerësimin dhe Kërkimin, tha në një konferencë për shtyp se reaksionet alergjike ishin raportuar në më shumë se një shtet, përfshirë Alaskën.
Maks tha gjithashtu se kimikati i quajtur polietilen glikon (PEG) që është përbërës i vaksinës së Pfizer, e gjithashtu i vaksinës së Moderna, mund të jetë “fajtori” për reaksionet alergjike. Marks tha se reaksionet alergjike ndaj kësaj substance mund të jenë më të zakonshme se sa mendohej paraprakisht, shkruan Reuters.
Rastet në Alaskë ishin të ngjashme me dy raste të raportuara javën e kaluar në Britani.
Rregullatori mjekësor i Britanisë ka thënë se kujtdo që ka një histori të anafilaksisë, ose reaksioneve të rënda alergjike ndaj një ilaçi ose ushqimi, nuk duhet t’i jepet vaksina Pfizer-BioNTech COVID-19.
Por Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka thënë se shumica e amerikanëve me alergji duhet të jenë të sigurt për të marrë vaksinën. Po ashtu bëri me dije se vetëm njerëzit që më parë kanë pasur reaksione të rënda alergjike ndaj vaksinave ose përbërësve në këtë vaksinë të veçantë, duhet të shmangin marrjen e vaksinës.