Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Teatrit Kombëtar të Kosovës i del në krah aktivistëve të shoqëruar: Qeveria do të shuajë përfundimisht zërin për drejtësi dhe rezistencë qytetare


Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës u ka dalë në krah aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët mbrëmjen e kaluar u shoqëruan nga policia.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook, shoqata sindikale ka dënuar aktin e shoqërimit dhe dhunën e përdorur ndaj aktivistëve.

Po ashtu ka akuzuar qeverinë shqiptare se po tenton të shuajë përfundimisht zërin për drejtësi dhe rezistencë qytetare.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, dënon fuqishëm aktin e arrestimit dhe dhunën e përdorur mbrëmë tek Pedonalja në Tiranë nga Policia e Shtetit, ndaj aktivistëve të Aleancës për Mbrojtën e Teatrit: Titi Seranaj, Donald Martini, Gentjan Hasani dhe Ergys Mërtiri.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë, pasi në mënyrë arbitrare rrënoi godinën e Teatrit Kombëtar, tani nëpërmjet këtyre reprezaleve kundër aktivistëve, po tenton ta rrënoj edhe moralisht këtë ndërtesë, për ta shuar përfundimisht zërin për drejtësi dhe rezistencë qytetare.”– thuhet në njoftim.

Po ashtu Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës i bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar që ta ndërpresin këtë qasje ndaj aktivistëve dhe qytetarëve.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës konsideron se akte të tilla dhune e represioni, nuk kanë lidhje me demokracinë dhe i bën thirrje Institucioneve drejtuese të shtetit shqiptar, që ta ndërprenë menjëherë këtë qasje ndaj aktivistëve dhe qytetarëve, duke e kthyer drejtimin e shtetit në binarët e funksionimit demokratik.
Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës i siguron aktivistët, se ashtu siç ishte në përkrahje të pa rezervë për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, është më ta edhe tani kur po cenohet liria dhe integriteti fizik i atyre që u vunë dhe janë në ballë të kësaj kauze.”– përfundon reagimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *