Vendosni fjalën kyçe....

Zgjerimi i Greqisë në Jon trazon sërish Tiranën, kronologjia e asaj që ndodhi dy ditët e fundit


Dy ditë më parë, Gjykata Supreme e Greqisë ka miratuar dekretin për zgjerimin e vendit  fqinj nga 6 në 12 milje detare të ujërave territoriale në Detin Jon.

Sipas Athinës bëhet fjalë për zona përreth ishullit të Kretës si dhe në zonën përballë Italisë. Vendimi i gjykatës më të lartë greke dekretoi marrëveshjen e miratuar më herët nga parlamenti i vendit muaj më parë.

Në tetor 2020, në Tiranë erdhi për një vizitë zyrtare ministri i Jashtëm i Greqisë, Dendias, i cili takoi kryeministrin Rama e më pas të dy dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryefjala e saj ishte se Tirana e Athina kishin arritur marrëveshjen që për delimitimin e ujërave detare mes dy vendeve t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare.

Vendimi i Gjykatës Supreme trazoi sërish ujërat në Shqipëri. Pas reagimit në rrjetet sociale, ku Rama e qeveria e tij u thirrën si tradhëtarë që i kanë shitur detin Athinës, ditën e djeshme ka ardhur reagimi i ashpër i kreut të qeverisë.

Në tre postime në Twitter, Rama e quajti llum nacional-folklorik pa din e iman reagimin pas vendimit të gjykatës më të lartë të vendit fqinj. Ai i cilësoi akuzat ndaj tij si shpifje për përfitime politike. Në reagimin e tij kreu i qeverisë thekson se Greqia ka bërë të njëjtën gjë që Shqipëria e ka bërë në vitin  1990 duke publikuar dy dokumente.

Kryeministri thekson se Shqipëria nuk ka çfarë të kontestojë lidhur me vendimin e Greqisë për t’u zgjeruar nga 6 në 12 milje të ujërave territoriale ashtu si Greqia nuk ka kontestuar në vitin 1990 një vendim të ndërmarrë nga Shqipëria.

Pas reagimit të kreut të qeverisë, erdhi ai nga selia blu që pason reagimet e ashpra të para pak muajve kur kjo çështje u kthye rishtazi në skenë. Edhe asokohe opozita e akuzoi ashpër kryeministrin Rama mbi këtë çështje ndërsa ky i fundit u përgjigj duke thënë se marrëveshja qqë po negociohej ishte shumë më e mirë se ajo që kishte arritur ish-kryeministri Berisha e ish-ministri i Jashtëm Basha, që u hodh poshtë më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Në regimin e djeshëm selia blu iu drejtua me 6 pyetje kryeministrit në thelb të të cilave është mungesa e transparencës e fakti nëse marrëveshja e vendos Shqipërinë në pozita të pafavorshme duke i bërë thirrje qeverisë që të paraqesë rezervat lidhur me zgjerimin e ujërave territoriale greke.

Marrëeshja për zgjerimin e ujërave territoriale greke nga 6 në 12 milje detare është kundërshtuar ashpër nga Turqia madje pretendohet se arritja e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Shqipërisë e Greqisë para pak vitesh është frenuar pikërisht nga ndërhyrja e fortë e Ankarasë.

Sipas saj, Greqia nxiton të zgjerojë ujërat e saj territorialë me vendet fqinje si Shqipëria, Italia dhe ato mesdhetare si Egjipti, për ta vënë Turqinë para faktit të kryer lidhur me përplasjes që kanë dy vendet për ujërat territoriale në Detin Egje e pjesën lindore të Detit Mesdhe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *