Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite dënon me burg aktivisten e të drejtave të njeriut


Një aktiviste e njohur në Arabinë Saudite, e cila kishte bërë fushatë për të drejtën e grave për të drejtuar makinën, është dënuar me më shumë se pesë vjet burgim.

Loujain al-Hathloul, 31 vjeç, tashmë ka qenë në një burg të sigurisë së lartë për dy vjet e gjysmë. Ajo dhe aktivistët e tjerë u arrestuan më 2018 nën akuzat që përfshinin edhe kontaktet me organizata armiqësore për Arabinë Saudite.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut vazhdimisht kanë kërkuar lirimin e saj, raporton BBC. Por të hënën, Gjykata e Specializuar Penale e vendit, e cila u krijua për të gjykuar çështjet e terrorizmit, e dënoi atë për akuza të ndryshme, përfshirë përpjekjen për të dëmtuar sigurinë kombëtare dhe për të çuar përpara një agjendë të huaj.

Gjykata e dënoi atë me pesë vjet e tetë muaj burgim. Dy vjet e dhjetë muaj të dënimit u tha se janë pezulluar. Duke përfshirë vitet e pezulluara dhe tashmë të vuajtura në burg, Al-Hathloul, mund të lirohen vitin e ardhshëm.

Ajo dhe familja e saj kanë mohuar të gjitha akuzat. Ata gjithashtu kanë thënë se ajo është torturuar në burg – akuza që gjykata i hodhi poshtë.

Hathloul u arrestua vetëm disa javë para se gratë saudite më në fund të lejoheshin të vozisnin më 2018. Zyrtarët sauditë këmbëngulin se ndalimi i saj nuk ka asnjë lidhje me atë çështje. Ekspertët e të drejtave të njeriut kanë thënë se gjyqi i saj nuk i plotësonte standardet ndërkombëtare.

Në nëntor, Amnesty International dënoi transferimin e saj në Gjykatën e Specializuar Penale, duke thënë se ky veprim shpërfaqë “brutalitetin dhe hipokrizinë” e autoriteteve saudite. Rasti është vlerësuar si një goditje shtesë për reputacionit e liderit të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës, Mohammed Bin Salman.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *