Vendosni fjalën kyçe....

Gent Cakaj jep dorëheqjen e parevokueshme, e zëvendëson Olta Xhaçka


Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, ka dhënë dorëheqjen. Ai sapo e ka bërë të ditur lajmin përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Cakaj thotë se ai e ka kryer detyrën e tij dhe e konsideron të mbyllur “kapitullin” e shërbimit të tij në krye të diplomacisë shqiptare në një kohë kur jemi në prag të fushatës zgjedhore, ku ai nuk ka synime të kandidojë si deputet.

“Të nderuar qytetarë,
Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.
Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.
Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.
Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime!”– shkruan Cakaj.

Pas dorëheqjes së Cakajt, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të emërojë në vend të tij, Olta Xhaçkën e cila aktualisht është Ministre e Mbrojtjes.

“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.”– shkruan Rama.

Ndërkohë postin e ministrit të Mbrojtjes e ka marrë Niko Peleshi. / Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *