Sonila Bejtja është betuar zyrtarisht te presidenti Meta duke u bërë anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese.
Njoftimi zyrtar është bërë nga kreu i shtetit i cili shkruan se në ceremoni kanë marrë pjesa zv.kryetarja e Kuvendit, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Avokatja e Popullit si dhe përfaqësues të insticuineve ndërkombëtare në vend.
Pak ditë më parë te Meta janë betuar Altin Binaj e Përparim Kalo. Për t’u bërë e plotë Gjykatës Kushtetuese i duhen edhe dy anëtarë.
Profil i anëtares më të re të Gjykatës Kushtetuese
Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese është diplomuar për për Jurisprudencë në Universitetin e Milanos, Itali në vitin 2000. Ajo është aëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatëve si dhe e Dhomës Kombëtare të Noterëve. Në jetëshkrimin e saj Bejtja ka renditur edhe dy kualifikime në fushën e drejtësisë ndërsa është njohëse e mirë e gjuhëve angleze, italiane e franceze.
Njoftimi i Presidencës
“Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, znj.Sonila Bejtja betohet para Presidentit të Republikës. 29 dhjetor 2020
Në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua sot ceremonia e betimit të anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, zonja Sonila Bejtja, para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të saj nga Kreu i Shtetit, zonja Sonila Bejtja u betua para Presidentit Meta, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe duke u zotuar se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Kreu i Shtetit i uroi suksese dhe punë të mbarë gjyqtares Bejtja në detyrën e saj tepër të rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Zv/kryetarja e Kuvendit, znj.Vasilika Hysi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, Avokati i Popullit, zn.Erinda Ballanca, drejtuesja e misioni OPDAT të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, znj.Michelle Lakomy, shefi i Sektorit Politik dhe i Ngarkuar me punë në Delegacionin e BE në Tiranë, z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.” – shkruan Presidenca.