Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka nisur një letër partive politike që të shprehin propozimet mbi zonat ku mund të aplikohen projektet pilote.
Në letrën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi iu kërkohet partive të bëjnë me dije nëse kanë sugjerime në lidhje me zonat se ku mund të aplikohen projektet pilote në këto zgjedhje, në parashikim të dispozitave ligjore.
Letra e plotë:
Ligji nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar së fundmi edhe me ligjin nr.101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 22 “Kompetenca e KQZ-së lidhur me teknologjinë në zgjedhje”, parashikon shprehimisht se: “KQZ-ja ka kompetencë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte dhe/ose procedura të veçanta të procesit zgjedhor, të angazhojë konsulencë të huaj për këtë qëllim, si dhe të prokurorë sisteme apo pajisje të teknologjisë së informacionit apo edhe shërbimin e operimit të tyre.
KQZ-ja është e detyruar që përdorimin e sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10 për qind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimi”.
Gjithashtu, në nenin 179 “Prokurimi i sistemeve apo pajisjeve të teknologjisë së informacionit”, paragrafi 1, parashikohet se: “1.Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhje do të implementohen me projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më shumë se 20 për qind të zgjedhësve, duke filluar nga zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Pavarësisht nga ky rregull, në zgjedhjet e para për Kuvendin, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, identifikimi elektronik do të shtrihet në 100 për qind të votuesve”.
Në mbështetje të parashikimeve të mësipërme, ju bëjmë me dije se për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zbatimi në praktikë i urdhërimeve ligjore sa më sipër, në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me votimin dhe numërimin elektronik, kanë marrë një vëmendje të posaçme.
Në këto kushte, përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimet përkatëse, lutemi të na bëni me dije nëse keni sugjerime apo mendimet tuaja në lidhje me zonat se ku mendoni të aplikohen projektet pilote në këto zgjedhje, në parashikim të dispozitave ligjore më sipër cituar.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi