Shqipëria së bashku me Gjermaninë, Suedinë dhe Danimarkën nuk kanë rritur sipërfaqen pyjore gjatë periudhës 1990-2020.
Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2020 mbi 45 për qind e sipërfaqes së tokës në BE ishte me pyje. Në të gjithë BE sipërfaqja pyjore është rritur me 2.6 për qind gjatë tre dekadave. Shumica e vendeve kanë rritur sipërfaqen e pyjeve.
Të dhënat për Europën nga Eurostat tregojnë se Qipro dhe Mali i Zi kishin rritjen më të madhe të sipërfaqes pyjore gjatë tre dekadave të fundit.
Eurostat raportoi se Shqipëria në vitin 2020 kishte 38 për qind të tokë me pyje dhe nuk kishte rritje në raport me vitin 1990.
Ne terma relativë, pyjet dhe toka e pyllëzuar përbënin të paktën gjysmën e sipërfaqes totale të tokës në tetë nga shtetet anëtare të BE-së në vitin 2020. Sipërfaqet më të mëdha me pyje, rreth tre të katërtat sipërfaqes janë regjistruar në Finlandë (76.2%) Suedi (74.5%); Slloveni (62.8%). Në Estoni, Letoni, Spanjë, Portugali dhe Greqi rreth 50-60% të sipërfaqes totale të tokës ishte e mbuluar nga pyjet dhe toka të tjera të pyllëzuara. Në kontrast, pylli dhe toka të tjera të pyllëzuara përbëjnë jo më shumë se 1.7% të sipërfaqes totale të tokës në Maltë, Holandë (11.0%), Irlande (12.3%) dhe Danimarke (15.8%).
Suedia dhe Shqipëria ishin të vetmet që nuk rriten sipërfaqet pyjore gjatë tre dekadave.
Pyjet dhe tokat e tjera të veshura me pemë mbulojnë rreth 1,1 mln ha gati 38% të territorit të përgjithshëm në Shqipëri. Rreth 51% e pyjeve janë në pronësi të shtetit, 47% të qeverisë vendore dhe 3% – në pronësi private .
Nga sipërfaqja totale e pyjeve, 47% e përbëjnë pyjet e larta me ahe, lisa dhe ato me pishën e zezë si varietetet kryesore. Zabelet përbëjnë 29%, dhe 24% janë të kategorizuara si pyje me shkurre.
Kontributi i pyjeve në ekonominë e vendit ka mbetur i vogël. Shumica e trupave drusore të prodhuara në Shqipëri përdoren për ngrohje. Shërbimet jo drusore janë një burim i rëndësishëm të ardhurash në zonat rurale në Shqipëri. Janë 23 rezervate gjuetie (në pyje dhe laguna), me një sipërfaqe prej rreth 35,000 ha.
Menaxhimi i pyjeve është decentralizuar përmes transferimit të rreth 50% të sipërfaqes së pyjeve dhe kullotave njësive të qeverisjes vendore të cilat janë përgjegjëse për hartimin e planeve të menaxhimit të pyjeve, krijimin e organeve administrative dhe teknike për të kryer inventarizimin e pyjeve dhe hartimin e planeve të investimeve.
Komunat janë përgjegjëse për menaxhimin e pyjeve lokalë në përputhje me planet e menaxhimit.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al