Presidenti i zgjedhur Joe Biden u kthye në Atlanta të hënën për të bërë fushatë për kandidatët demokratë për Senatin, Jon Ossoff dhe Raphael Warnock.
Biden nuk e përmendi audioregjistrimin e Donald Trumpit, kur ky i fundit i bënte presion një zyrtari të lartë të Xhorxhias që të gjente 11,780 vota, sa për të kapërcyer fitoren e Bidenit në këtë shtet.
Në vend të kësaj, presidenti i ardhshëm e sulmoi Trumpin për ankesat e tij të shumta.
“Presidenti kalon më shumë kohë duke qarë dhe duke u ankuar sesa duke bërë diçka në lidhje me problemin.”- tha Biden. “Unë nuk e di pse ai ende e dëshiron punën, ai nuk dëshiron të bëjë punën.”
Biden e bëri këtë koment ndërsa po kritikonte shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit për administratën.
“Është një turp çfarë po ndodh tani.”– tha Biden. “Unë e kam thënë më parë, vaksinimi i Amerikës do të jetë një nga sfidat më të vështira operacionale me të cilat është përballur ndonjëherë ky komb.”