Bashkia e Tiranës i është përgjjigjur me një deklaratë zyrtare denoncimit të PD-së ditën e sotme.
Sipas zëdhënëses së selisë blu, Zhupa, bashkia i ka ndërtuar banesën një personi, që kishte një tjetër vilë trekatëshe dhe disa prona duke e quajtur procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë selektiv e abuziv.
Në deklaratën e bashkisë, kreu i PD-së ironizohet duke u quajtur ‘kryebashkiaku i gjumit’ që e ka shëndërruar PD-së në prodhuese e shpërndarëse lajmesh të rreme.
Sipas bashkisë, personi në fjalë, Lulzim Ali Aga, mund të ketë edhe prona të tjera në Tiranë po nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit. Ndërsa personi, i cili ka aplikuar për rindërtim, sipas bashkisë, është Luli Shaban Aga, me banim në Vaqarr.
Deklarata e Bashkisë
“Është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha e ka shndërruar Partinë Demokratike në prodhuese dhe shpërndarëse qesharake ‘fake news’-esh. I mbytur nga dëshpërimi se po përgatitet të humbë sërish zgjedhjet në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, Lulzim Basha e ka humbur toruan dhe çdo ditë fabrikon mashtrime të ulëta për procesin e rindërtimit, duke guxuar të tallet me të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit.
Lulzim Basha, njeriu që ka hyrë në histori me nofkën kryebashkiaku i gjumit, i ka mashtruar shtatë herë qytetarët e Tiranës dhe rasti i sotëm është mashtrimi i tetë. Në një deklaratë qesharake të publikuar sot, një spikere e PD-së pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit dhe po i rindërtohet shtëpia, ndërkohë që sipas saj, ai zotëron 4 prona të tjera.
Lulzim Ali Aga mund t’i zotërojë pronat që pretendon PD-ja, por ky shtetas nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton atij shtëpinë.
Në Njësinë Administrative Vaqarr në datën 21 shkurt 2020 ka aplikuar shtetasi Luli Shaban Aga, shtëpia e të cilit është klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim. (Dokumentet i gjeni bashkëlidhur.)
Njësoj si në rastin e Tatjanës nga Njësia 4, të cilës Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i ndryshuan identitetin dhe e bënë Fatime, për të mashtruar qytetarët e Tiranës, edhe sot Luli Shaban Agës i ndërruan identitetin dhe e kthyen në Lulzim Ali Aga për të fabrikuar gënjeshtrën e radhës.
Por, me sa duket, PD-ja ka ngatërruar Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit.
Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë lënë pa ndihmuar as edhe një familje që është prekur nga tërmetet e shtatorit dhe nëntorit, por vijon punën për strehimin e tyre në banesa të reja, të rindërtuara, më të mira e më të sigurta.”