Pas Lezhës, ashtu sikurse ishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama ka shkuar në Shkodër për t’u takuar edhe me banorët atje, të cilët janë të rrezikuar nga përmbytjet.
Shkodra është një ndër qarqet më të rrezikuara nga përmbytjet dhe në veçanti fshati i Obotit, ku reshjet masive kanë dëmtuar dhe rrugën.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se 24 orët në vijim janë më kritiket, ndërsa shton se më pas pritet të përmirësohet situata.
“Më shqetëson fakti që sot dhe gjatë natës do të ketë reshje shumë intensive. Pjesën tjetër do ta menxhojmë. E rëndësishme është që nuk ka banesa e bagëti të dëmtuara. Aty ku do të kemi bllokime, do të fusim ekstra sforco me ushtri e mjete lundrimi, për të siguruar që askush të mos ketë probleme, si dhe t’iu shkojë të gjithëve në banesë ndihma. 24 orët që kemi përpara janë më kritiket, pastaj mund të përmirësohet situata.” – është shprehur Rama.
Ndërkohë ashtu sikurse në Lezhë, Rama kujtoi përmbytjet e vitit 2010 duke bërë një krahasim. Ai thotë se asokohe u evakuuan 10 mijë veta.
“Më 2010 janë evakuuar 10 mijë veta, ku i kanë çuar në lloj lloj konviktesh e palestrash dhe ka ndenjur uji me ditë të tëra. Ndërsa tani funksionon infrastruktura e kanalizimeve dhe uji largohet menjëherë.” – shtoi Rama.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili e shoqëronte Ramën sot, tha se rruga e Obotit është e kalueshme me mjetet e larta të ushtrisë ndërsa konsideron pozitive dhe menaxhimin e kaskadës.