Nga Telnis Skuqi
Katër ditë përpara Vitit të Ri, shiringa e parë me vaksinën Pfizer e Biontech u injektua në trupin e Sven Andersen, 67 vjeç. Ai u bë i pari norvegjez që provoi vaksinën kundër koronavirusit.
Qysh prej asaj dite, të paktën 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e efekteve anësore. Steinar Madsen, drejtor i Agjencisë Norvegjeze të Barnave, ka pohuar për NRK (Televizionin Publik Norvegjez) se 13 nga 29 persona që kanë pasur efekte dytësore nga vaksina anti-Covid 19, kanë vdekur nga efektet anësore.
“Të gjitha vdekjet kanë ndodhur te pacientët me imunitet të dobët.” – tha Madsen, ndërsa shtoi se: “Të gjithë janë mbi 80 vjeç dhe disa prej tyre mbi 90 vjeç.”
Sipas tij 29 personat që janë raportuar se kanë pasur efekte anësore janë paraqitur me forma të rënda të etheve si dhe me temperaturë tepër të lartë, prandaj Agjencia Norvegjeze e Barnave ka zgjedhur të rregullojë se kush duhet të vaksinohet.
“Personat që kanë imunitet shumë të dobët, apo personat që janë në ciklin e fundit të jetë mund të mos vaksinohen.” – tha Madsen.
Më tej drejtori i Agjencisë Norvegjeze të Barnave (Legemiddelverket), saktësoi se me persona ‘të dobët’ nënkupton pacientë me probleme të rënda në zemër, dementia apo persona që marrin kimioterapi.
“Te të gjithë pacientët që kanë pasur këto probleme shëndetësore, efektët kanë rezultuar fatale.” – deklaroi ai.
Madsen thotë se fushata e vaksinimit nuk është shqetësuese për shkallën e efekteve anësore.
“Ne nuk jemi të alarmuar nga ky fakt. Vaksina nuk paraqet rrezikshmëri për shëndetin publik me përjashtim të ndonjë pacienti të dobët.” – tha Madsen.
Po i njëjti zyrtar tha se Agjencia Norvegjeze e Barnave do të sigurojë raporte javore për efektet anësore në të ardhmen.