Kreu i Shtetit Ilir Meta mori pjesë ditën e sotme në 100 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Parë Bektashian ku vlerësoi rolin që ka luajtur në konsolidimin e shtetit.
Meta tha se sot nderohen përpjekjet e heronjve të klerikëve bektashianë.
Gjithashtu Presidenti bëri thirrje që shteti të nisë kthimin e pronave për besimet fetare dhe t’i mbështesë ato.
““Sot është një ditë historike e kongresit Bektashian, kongresi që shënoi një moment kyç në konsolidimin e shtetit. Udhëheqësit bektashianë të asaj kohe e patën kuptuar se zoti dhe kombi përbënin një lidhje të jashtëzakonshme. Roli i teqesë së Frashërit është i njohur për të gjithë, sidomos në ndikimin dhe formimin e tre rilindësve tanë, vëllezërit Frashëri. Kongresi miratoi statutin e parë të këtij guri të fortë themeli, të selisë së shenjtë. Përmes neneve të këtij statuti u sanksionuan shumë të drejta. Jemi krenarë që Selia e Shenjtë Bektashiane jo vetëm ngriti rrugën dhe eci e sigurt në gjurmët e Kongresit të Parë, por edhe është shndërruar në faktor aktiv në Shqipëri e Ballkan. Nderojmë sot përpjekjet e heronjve dhe klerikëve bektashianë që vuajtën nga regjimi. Nderojmë Baba Reshat Bardhin që nuk u përkul por qëndroi e bëri që ne sot të kemi jo vetëm këtë besim, por edhe të tjera. Nderojmë Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj që vazhdoi këto tradita ndërkombëtare të shënuara në kongresin e Prishtës. Edhe pas 30 viteve nga rënia e regjimit ende jo vetëm bësimi bektashian, por edhe të tjerë kanë pengesa për të funksionuar në mënyrë më efikase pranë besimtarëve të tyre. Është koha që shteti dhe të gjitha institucionet të zbatojnë të drejtat kushtetuese të besimeve duke filluar nga kthimi i pronave dhe duke vazhduar me mbështetjen që ato meritojnë”,- tha Meta.