Disa ekstrakte kanabisi mund të ulin rrezikun e vdekjes nga Covid-19 duke parandaluar që sistemi imunitar i një pacienti të sulmojë vetveten. Të paktën kështu sugjerojnë rezultatet e një studimi të fundit të realizuar në Universitetin e Lethbridhe, në Kanada.
Një ‘stuhi citokine’ është një proces përmes të cilit sistemi imunitar shkon keq dhe sulmon indet e shëndetshme në vend të virusit.
Në shumë raste të rënda të Covid-19, kjo është ajo që rezulton fatale, dhe gjetja e një mënyre për të zbutur këtë proces ka qenë një përparësi për mjekët.
Tani studiuesit në Universitetin e Lethbridge kanë hetuar se si ekstrakte nga bimët e Cannabis Sativa bashkëveprojnë me citokinat.
Ata gjetën tre lloje që janë shumë të efektshme në zvogëlimin e niveleve të dy prej kimikateve që luajnë role integrale në stuhinë e citokinës. Studiuesit kanë më shumë se 200 variante të kanabisit në koleksionin e tyre dhe e ngushtuan këtë në shtatë për studimin e tyre, i cili ende nuk është shqyrtuar nga kolegët dhe parabotuar në revistën shkencore Research Square.
“Në këtë studim, ne kemi identifikuar tre ekstrakte që janë shumë, shumë të mira; disa lloje të identifikuara në studimet e mëparshme ishin gjithashtu mjaft të mira.”– thotë Dr Olga Kovalchuk, bashkautore e studimit.
Ndalimi i stuhisë së citokinës ka qenë një përparësi për studiuesit që kur u identifikua për herë të parë koronavirusi në ditët e para të pandemisë. Ajo vazhdon edhe kur virusi është çrrënjosur nga trupi dhe çon në sindromën akute të shqetësimit të frymëmarrjes (ARDS), e cila mund të jetë fatale. Kjo gjithashtu mund të shkaktojë fibrozë të mushkërive, e cila është kur indet e mushkërive dëmtohen dhe për këtë arsye nuk janë në gjendje të funksionojnë siç duhet.
“Kjo është një gjendje dobësuese e cila është e vështirë për t’u trajtuar, me vetëm një transplant të mushkërive që ofron një kurë për pacientët.
Kur filluam të lexojmë në literaturë për atë që nxit ARDS, ishte shumë e qartë se ajo drejtohet nga të njëjtat molekula që janë të implikuara në shumë sëmundje autoinflamatore dhe autoimmune.”, tha Dr Kovalchuk, citon Daily Mail.
Ajo vazhdon: “Njëra prej tyre është interleukin-6 (IL-6) dhe tjetra quhet faktor nekroza e tumorit alfa (TNF-a).”
Në eksperimentet e kryera në një ‘model 3D indi të lëkurës njerëzore’, i cili është krijuar për të imituar trupin e njeriut, studiuesit gjetën tre ekstrakte kanabisi që ulin nivelet e IL-6 dhe TNF-a.
Për këtë studim u përdorën bimë kanabisi të kultivuara në mënyrë profesionale, të cilat u nxorrën me kujdes.
Studiuesit thonë se gjetjet e tyre nuk nënkuptojnë se pirja e marihuanës ofron ndonjë mbrojtje kundër Covid-19. Megjithatë Dr Kovalchuk dhe ekipi i saj besojnë se kimikatet e kanabisit mund të jenë në gjendje të parandalojnë SARS-CoV-2 nga infektimi i qelizave njerëzore.