Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Mbrojtjes: Ka humbur jetën një ushtarak shqiptar me mision në Afganistan


Një ushtarak shqiptar i cili është dërguar me mision në Afganistan, ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta mbrëmjen e kaluar.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila në një njoftim zyrtar thotë se ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 (me orën lokale të Afganistanit).

Po ashtu thotë se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura deklarojnë se po bashkëpunojnë me komandën e operacionit në Afganistan për hetimin e plotë të rrethanave të vdekjes së ushtarakut shqiptar.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftojnë se dje, në orën 22:40 ora lokale në Afganistan, ka humbur jetën ushtaraku me inicialet XH. J.

Autoritetet e Ministrisë së Mbrotjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA po bashkëpunojnë me komandën e operacionit për të bërë hetimin e plotë të rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja.

Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA sigurojnë personelin në mision dhe familjet e tyre se do vijojnë të mbështesin e t’u gjenden pranë për të përmbushur me sukses misionin.

Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura i shprehin ngushëllimet më të ndjera familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tyre të dashur.”- njofton Ministrja e Mbrojtjes, e cila tashmë drejtohet nga Niko Peleshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *