Inflacioni i dhjetorit të vitit të kaluar rezultoi 1.5 për qind sipas matjeve të bazuara në metodologjinë e Eurostat. Ky rezultat ishte 0.4 pikë përqindje më i lartë se matjet kombëtare për arsyen grupi i “frutave dhe perimeve” kanë një peshë më të madhe tek shporta që Eurostat përdoren për ndryshimin e çmimeve.
Shqipëria u rendit e shtata në rang europian për rritjen më të lartë të çmimeve në muajin dhjetor.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,9 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 2,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,6 %, “Komunikimi” me 0,5 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,4 % secili dhe “Shëndeti” 0,1 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7 %, pasuar nga grupi “Shërbimi arsimor” 0,1 %. Në muajin dhjetor 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,4 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Transporti” me 0,3 % secili, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shëndeti” 0,1 % secili.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,3 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili. Rritja mesatare vjetore e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në vitin 2020 është 2,2 %.
Në vitin 2017, për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasim sa më të mirë me vendet e tjera të inflacionit, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al