Vendosni fjalën kyçe....

Fasada e përpjekjeve për drejtësi për “21 Janarin”

Të enjten u shënuan 10 vjet nga tragjedia e “21 Janarit” të 2011-ës, kur katër qytetarë humbën jetën gjatë një proteste të thirrur nga Partia Socialiste.

Për të shënjuar këtë ngjarje, pati tre organizime të ndryshme: Një ditë para u kërkua hapja e hetimeve, viktimat u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” si dhe u mbajtën homazhe në Bulevard.

Pas dhjetë vitesh familjarët e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, presin ende drejtësinë që s’e morën kurrë. Por aktivitetet e mbajtura në këtë dhjetë-vjetor nuk e zbusin dhimbjen e tyre, e as nuk u japin atyre drejtësi.

Ku jemi me drejtësinë?

Dosja voluminoze e 21 janarit, e mbylli kalvarin në Gjykatën e Lartë në vitin 2015. Me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg, ndërsa ish-gardisti Agim Llupo me 3 vite dhe sot që të dy ata janë të lirë. Me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi u dënua me 1 vit burg, ndërsa ish-gardisti Agim Llupo me 3 vite dhe sot që të dy ata janë të lirë.

Por, Partia Socialiste, këmbëngul se vrasësit e vërtetë ishin ata që urdhëruan gardën të qëllonte.

Familjarët e viktimave iu drejtuan gjykatës së Strasburgut për shkeljet e gjykatave shqiptare. Atyre iu dha e drejta e marrjes së një dëmshpërblim në vitin 2017 me nga rreth 500 mijë euro dhe për të kërkuar rihapjen e hetimeve. Por një nga familjet nuk e ka pranuar dëmshpërblimin.

Rinisje e hetimeve një ditë para 10-vjetorit

Ndërkohë që kjo mund të ishte bërë shumë më parë, Policia e Tiranës i kërkon Prokurorisë së kryeqytetit rifillimin e hetimeve për dosjen “21 janarit”. Dhe këtë e bëri më 20 janar, pas orës 16:00.

Policia i kërkoi prokurorisë kryerjen e riekspertimeve teknike dhe ripyetjen e dëshmitarëve. Në ditët në vijim do të merret në shqyrtim nga prokuroria, e cila do të vlerësojë nëse plotësohen kushtet e nevojshme ligjore për rihetim.

Mbrëmjen e kaluar, gazetari Artan Hoxha ndërsa ishte i ftuar në emisionin Opinion, tha se kjo kërkesë e bërë në këtë datë, i jep prokurorisë afat edhe 10 vite të tjera për hetimin e ngjarjes. Ai shtoi se, rihetimi i dosjes së 21 Janarit ka qenë më shumë një kërkesë e familjarëve të viktimave. Dhe për këtë sipas tij ka patur disa takime mes familjarëve dhe ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë muajve të parë të pandemisë.

Viktimat u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”

Ditën e djeshme me rastin e përvjetorit të kësaj tragjedie, kryeministri Edi Rama i shpalli ”Dëshmorë të Atdheut” të vrarët në protestën e 21 janarit.

Edhe pse në fakt Ligji për statusin e dëshmorit të atdheut i ka të përcaktuara qartë kriteret se kur jepet statusi i dëshmorit dhe ky nuk është rasti.

Ky status jepet kur ke rënë në luftë për mbrojtjen e atdheut, kur ke rënë në krye të detyrës, etj.

Ndërsa jepte çertifikatat Rama u shpreh se kujtimi i tyre do të mbetet i përjetshëm ndërsa sipas tij ky symbol në katër shtëpitë “do të jetë një pikë referimi për vështrimin e  fëmijëve kur të mendojnë për prindërit e tyre, jo thjesht në sensin e vlerësimit, por në sensin e besimit që drejtësia do ta bëjë të sajën”.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se drejtësia për ngjarjen nuk mund të vijë nga qeveria dhe nga parlamenti pasi ai nuk bën gjyqe, por kjo duhet të vijë nga drejtësia. Ai shprehet se si kryeministër nuk mund të ngrejë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë.

 

Homazhi në vendin e krimit

Pasi i shpallë “Dëshmorë të Atdheut”, kryeministri Edi Rama së bashku me familjarët e viktimave të 21 janarit kanë mbajtur homazhe përkujtimore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’’ para Kryeministrisë. Vendin ku u zhvillua dhe protesta më 21 Janar të vitit 2011.

Ministrat me në krye kryeministrin Edi Rama bënë homazhe, duke vendosur nga një karafil për 4 të vrarët në protestë.

Kështu me këto tre përpjekje, u mbyll dhe kësaj radhe shfaqja e radhës duke i dhënë kohë drejtësisë së munguar prej një dekade tashmë./ Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *