Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është dhe drejtues politik i PS-së për qarkun e Tiranës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen me socialistët.
Në një fjalim nga Lekaj i Rrogozhinës, Veliaj tha se asnjë demokrat i ndershëm nuk identifikohet më me Partinë Demokratike, ndaj shprehet se e kanë të hapur derën në familjen socialiste.
“Qaheshin nga Enver Hoxha! Saliu, 77 vjeç, kërkon të rikthehet për herë të tretë. Fakti që demokratët janë ndarë në 5 copa, madje ka edhe nga ata që duan të votojnë Partinë Socialiste, është një lajm i mirë, sepse ne nuk kemi betejë më tanët. Çfarë janë demokratët e tjerë? Nuk janë Saliu dhe Luli. Demokratët e thjeshtë nuk u bënë me 5 vila në kohën e pandemisë, nuk shtuan pasuri në kohën e tërmetit. Demokratët e thjeshtë i ka kapur tërmeti si ne, i ka kapur halli si ne, i ka zënë covid-i si ne, por ama vetëm një parti e zgjidh këtë punë: Edhe rindërtimin e bën PS-ja, edhe vaksinën e sjell PS-ja, edhe ekonominë e ngre në këmbë PS-ja, sa herë që e gjen të rrënuar.”- tha Veliaj.
Ai vazhdon: “Nëse ka demokratë të ndershëm që thonë: ‘Unë nuk identifikohem dot më me Saliun, që vret njerëz, dhe thotë si nuk vrava më shumë, si nuk i futa një snajper Edi Ramës!’ Mua nuk më lidh gjë me kriminelët, nuk më lidh gjë me ata që i kanë bërë të zeza vendit’, – atëherë bujrum, të gjithë demokratët e ndershëm janë të mirëpritur në PS”.