Vendosni fjalën kyçe....

Gjatë janar-gusht 2020, shpenzimet për spitalet me ulje vjetore me 10 milionë euro


Pandemia Covid -19 ka rritur presionin për disa struktura spitalore, por në shërbimet e përgjithshme volumi i punës ka rënë, së paku në 8 muajt e parë të vitit 2020 në raport me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në janar-gusht 2020 shpenzimet për të shtruarit në spitale ranë me 10 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Përgjatë 8 mujorit 2020 u shpenzuan 10.8 miliardë lekë nga 12.1 miliardë që u shpenzuan në janar-gusht 2019, me një rënie rreth 11 për qind.

Pandemia ka krijuar mendësinë se, ngarkesa në spitale ka arritur rekorde, por në realitet kjo është e vlefshme vetëm për shërbimet që lidhen me administrimin e pandemisë.

Përveç tre spitaleve Covid, ngarkesa në pavionet e tjera të QSUT-së dhe në spitalet rajonale ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Burimet nga QSUT bëjnë me dije se këtë vit shtrimet në spitale janë bërë vetëm për rastet e rënda. Për shembull në pavijonet e pediatrisë shtrimet kanë rënë me mbi 40% në raport me një vit më parë.

Mjekët në këto pavijone pohojnë se, përgjatë virozave të stinës në të shkuarën që preknin më së shumti moshat pediatrike prindërit kërkonin me ngulm shërbim spitalor edhe për një temperaturë virale.

Më 2020, por edhe në fillimin e 20201 spitalet nuk po ndjejnë presionin e virozave. Masat parandaluese kundër Covid-19, si përdorimi i maskave dhe mësimi në shkolla me turne ka penguar edhe përhapjen e virozave të stinës, e për rrjedhojë puna në spitale ka rënë.

Gjithashtu pavijonet e kirurgjisë punuan më pak gjatë vitit 2020, pasi për shkak të pandemisë u shtynë operacionet e programuara dhe u aplikuan ndërhyrjet vetëm për urgjenca.

Në 8 mujorin 2020 janë u shtruar në spitale rreth 150 pacientë. Kjo shifër është e ulët pasi shtrimet në spitale më 2019 ishin më shumë se 300 mijë sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm.

Sektori i shëndetësisë u përball gjatë vitit të kaluar me presion të lartë për blerje të pajisjeve dhe medikamenteve për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, duke marrë edhe një financim shtese prej 4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit.

Por të dhënat faktike tregojnë se, shpenzimet për shëndetësinë jo vetëm që nuk janë rritur, por rezultojnë poshtë faktit të vitit të kaluar. Burimet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm sqarojnë se shkak për këtë situatë është bërë anulimi i kontratës koncesionare të check-up dhe pagesat më të ulëta për koncesionin e sterilizimit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *