Kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës në vend Albpetrol ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) që të shtyjë afatin e saj për plotësimin e dokumentacionit që i nevojitet për t’u licencuar në aktivitetin e furnizimit me gaz natyror.
Ky afat është shtyrë disa herë edhe më parë dhe për herë të fundit nën argumentin e pandemisë deri në dhjetor 2020 por duket se sërish kompania e ka pasur të pamundur të përfundojë procedurat duke pranuar se këtë herë shkak është bërë vështirësia financiare.
“Shoqëria ka kërkuar shtyrjen e afatit duke filluar nga data 31.12.2020, pasi ky ka qenë afati i përcaktuar në vendimin nr. 120/2020, brenda të cilit duhej të depozitonte dokumentacionin e munguar e më pas deri në datën 06.01.2021, është konsideruar koha e ERE-s për të përgatitur praktikën për trajtim në Bord. Si e tillë afatet e shtyrjes do të fillojnë nga data 06.01.2021, për tre muaj sipas kërkesës së shoqërisë ALBPETROL sh.a..
Kjo kërkesë vjen për arsye se, shoqëria ALBPETROL sh.a., është duke kaluar një situate të vështirë financiare të ardhur si rezultat i dështimit të shitjes së produktit “nafte brut” e cila është pasojë e situatës së krijuar nga COVID 19. Shoqëria aktualisht nuk ka një gjendje të mirë financiare, pavarësisht mundësisë reale për të krijuar të ardhura. Ajo ka raporte të pa likuiduar me të tretët dhe me Shtetin Shqiptar” sqaroi ERE.
Ky i fundit ka pranuar gjithashtu se duke qenë se kërkesa e shoqërisë për shtyrje të afatit të depozitimit të dokumentacionit përkatës është depozituar në zbatim të legjislacionit në fuqi, përpara përfundimit të afatit të vendosur në Vendimin e Bordit të ERE-s Nr. 120, datë 17.07.2020, dhe duke marrë parasysh të gjitha kufizimet e vendosura gjatë kësaj periudhe me qëllim parandalimin e përhapjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, dhe arsyet të tjera të paraqitura më sipër, kërkesa e shoqërisë duhet të pranohej.
Ankandet e Albeptrol
Albpetrol tentoi gjatë vitit të shkuar që të zhvillonte disa ankande për sasi të ndryshme nafte bruto por të gjitha këto ankande edhe për shkak të situatës së pandemisë dështuan. Interesi për të marrë pjesë në to ka qenë i ulët dhe në shumë raste argumenti i anulimit ka qenë se mungonte konkurrenca.
Edhe se fundmi Albpetrol hapi një tjetër ankand për një sasi mbi 158 mijë ton naftë bruto ku operatorët duhet të paraqisnin interes deri në 20 janar dhe rezultati nëse ka pasur apo jo interes pritet të dalë në ditët në vijim.
Për herë të fundit, Albpetrol shiti naftë në një ankand në fund të majit 2019 kur u nxorën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor