Trashësia e dëborës ka shkuar deri në katër metra në Qafë Thore, në Shkodër dhe një qytetar kishte mbetur i izoluar në banesën e tij.
Pjetër Lulashi i cili kishte mbetur i bllokuar u shpëtua nga Forcat e FNSH-së dhe AZM-së Shkodër që i shkuan në ndihmë.
Operacioni është filmuar në kamera dhe në një video të publikuar shihet se si ekipet e shpëtimit shkojnë në banesën e Lulashit, i cili kishte mbetur brenda.
“Sot është realizuar evakuimi i Rojës të Bujtines në Qaf’Thore, pasi ishte në rrezik nga trashësia e dëborës .
Aksioni u krye nën drejtimin e Prefektes Majlinda Angoni nga Policia e Shtetit, Rojeve Mjedisore dhe nga banorët e zonës.”– njofton Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër.
Videoja më pas është publikuar dhe nga ish-ministri Ilir Beqaj i cili shkruan: ”Te Buni i Bajraktarit në Qafë Thore ku trashësia e borës është mbi 4 metra”.
Prej disa ditësh i gjithë vendi është përfshirë nga një mot i keq me dëborë në zonat malore dhe reshje shiu në zona e ulëta, duke sjellë gjithashtu përmbytje në disa zona.