Në ditët në vijim, rregullatorët meksikanë pritet t’i japin dritën jeshille vaksinës ‘Sputnik V’ të Rusisë për përdorim emergjent.
Të paktën kështu ka deklaruar zëvendës ministri i shëndetësisë Hugo Lopez-Gatell, shkruan RT.
Njoftimi i tij pasoi një rekomandim nga një panel ekspertësh në Komisionin e Meksikës për Mbrojtjen kundër Rreziqeve Shëndetësore në favor të vaksinës ruse, duke hapur rrugën për autorizimin e plotë “brenda ditësh”.
Përparimi në marrëveshjen e vaksinave me Moskën vjen disa ditë pasi presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador doli pozitiv për koronavirusin. Lidhur me gjendjen e presidentit, zv.ministri tha se ai kishte dhimbje koke dhe ethe, por që në përgjithësi “po ia dilte mirë”.
Obrador ka diskutuar për dërgesat e vaksinave me homologun e tij rus, presidentin Vladimir Putin, gjatë një telefonate të hënën.
Obrador tha se Putini pranoi të furnizonte Meksikën me 24 milion doza të vaksinës Sputnik V gjatë dy muajve të ardhshëm, të cilat do të shpërndahen së bashku me dozat e zhvilluara nga CanSino Biologics të Kinës, si dhe firmat farmaceutike Pfizer dhe AstraZeneca.
Vaksina ruse, nëse miratohet, ka të ngjarë të bëhet vaksina më e përdorur gjerësisht e Meksikës, veçanërisht pasi Pfizer papritmas i zvogëloi dërgesat e saj këtë muaj.