Dy fëmijë të mitur të komunitetit rom rrezikuan këtë paradite jetën, pasi i mori rryma në lumin Gjanicë në Fier.
Por një kalimtar që ndodhej aty parandaloi tragjedinë duke i shpëtuar të dy të vegjlit, që ishin motër e vëlla. Duke rrezikuar dhe jetën e tij, një veprim që jo çdokush e bën.
Ai ka treguar për mediet, momentin kur kishte parë fëmijët të binin në lumë dhe që po thirrnin për ndihmë.
“Unë kisha dalë xhiro e në një moment i pashë aty ku po kacavirreshin tek kangjellat. Njërit prej tyre i shkau këmba. Tjetri u hodh për të ndihmuar të motrën dhe aty në moment i mori rryma e i solli në pjesën përpara.
Aty e pashë keq, që nuk kishin shpëtim. U mundova e u hodha me gjithë rroba i nxorra jashtë. Vajza ishte zëre e vdekur, kurse djali rezistoi pak më tepër. Të parën nxora vajzën, të dytin djalin. Erdhi ambulanca, i mori dhe i çoi në spital”, tha zotëria që i shpëtoi dy fëmijët.
Dy fëmijët ndodhen në spitalin e Fierit ku po marrin ndihmë mjekësore.