Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, këtë paradite ka organizuar një takim me përfaqësuesve të Shoqatës së Fasonëve të cilët i ka ftuar në selinë blu, për të diskutuar mbi Programin Ekonomik të PD-së, “Shqipëria fiton”.
Në këtë takim, kreu i opozitës tha që programi që ka propozuar nuk është një paketë premtimesh dhe program mrekulli, por program normalizimi dhe rimëkëmbje të ekonomisë dhe me të cilin fiton Shqipëria.
“Pa pikë diskutimi sektori i fasonëve është një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, për arsyen që sapo thatë, numrin e madh të personave që punësoni. Në shumë raste këta janë edhe personat e vetëm që sjellin të ardhura në familjet e tyre.
Po kështu zhvillimet e viteve të fundit, duke përfshirë edhe zhvillimet e pandemisë, nga njëra anë ju kanë dëmtuar, ju kanë goditur rëndë. Mbi 15 mijë veta kanë humbur vendin e punës vetëm në sektorin tuaj, ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që si pasojë e zhvillimeve globale, tregjet kryesore ku ju çoni produktin tuaj po mendojnë të zhvendosin apo të fuqizojnë zinxhirin e furnizimit që do të thotë që në qoftë se Shqipëria njësoj si vendet e tjera të rajonit tonë janë gati kontratat tuaja mund të rriten, mund të shumëfishohen dhe aftësia juaj për të punësuar më shumë njerëz dhe për t’i paguar më mirë mund të rritet. Natyrisht për këtë ju duhet të keni në krah shtetin.
Ajo që kemi prezantuar nuk është program mrekullish, është program normalizimi dhe rimëkëmbje ekonomike. Ato nuk janë premtime, janë angazhime. Propozimet tona janë të qarta dhe janë të provuara që funksionojnë.”– deklaroi Basha.
Mes të tjerash, Basha iu përgjigj dhe kryeministrit Edi Rama lidhur me komentet tallëse që ka bërë ndaj propozimit të tij mbi uljen e taksës së sheshtë në 9%.
Basha tha që kjo është një ulje e madhe e barrës fiskale.
“Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani. Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga vota e 25 Prillit do të jetë 240 lekë më i lirë. Dhe kjo pa diskutim do të reflektohet edh në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj në tregun Europian dhe më gjerë.”– deklaroi kryedemokrati.