Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i është përgjigjur akuzave të deputetes Rudina Hajdari lidhur me mungesën e ujit të pijshëm dhe problemet me energjinë elektrike në Librazhd dhe Përrenjas.
Balla tha se nëse do të ishte e vërtetë se nuk ka ujë të pijshëm në Librazhd, ai nuk do kandidojë për një vend në Kuvendin e Shqipërisë.
“Sa i përket çështjeve që ngriti zonja Hajdari nëse Librazhdi nuk do kishte ujë të pijshëm unë nuk do kandidoja më në Kuvendin e Shqipërisë, por jam krenar që falë mbështetjes së atyre njerëzve kam vijuar të jem në atë zonë, do vazhdoj të votohem në atë zonë. Sepse marrëdhënia me ta është një marrëdhënie pune. Pas vitit 2013 kemi rikonstruktuar rrjetin e ujit të pijshëm, është një ndër ndërmarrjet më të mira në vend të vlerësuara nga KfW.
Sot jemi 61 vite pas, Edi Rama në vitin 2013 u zgjodh kryeministër, po të ishte zgjedhur më herët do ishte bërë më herët. Në ditët në vijim do të votojmë një marrëveshje të re me KfW për rrjetin e kanalizimeve të zeza në disa bashkia. Ndaj na duhet mandati i tretë për të vijuar këto punë të rëndësishme.”- deklaroi Balla.
Deputetja Hajdari e cila në zgjedhjet e 25 prillit do të kandidojë në qarkun e Elbasanit nën logon e partisë ‘Nisma’, tha se në Librazhd dhe Përrenjas ende sot kishte probleme me ujin e pijshëm dhe problem me energjinë elektrike.