Mianmari ka bllokuar aksesin në Facebook për qytetarët e saj, disa ditë pasi ushtria përmbysi qeverinë demokratike me një grusht shteti.
Zyrtarët thanë se platforma e mediave sociale, e cila për shumë në Mianmar është e vetmja qasje në internet, do të bllokohet për hir të “stabilitetit”.
Gjysma e 53 milion njerëzve që janë shtetas të Mianmarit përdorin rrjetin social Facebook, i cili është falas (nëse nuk ngarkon foto dhe video) dhe për shumëkënd është sinonim i internetit, shkruan BBC.
Gjatë ditëve të kaluara, aktivistët kishin ngritur një faqe në Facebook për të kundërshtuar grushtin e shtetit.
Lidhur me këtë vendim të Mianmarit, Facebook reagoi: “Ne i nxisim autoritetet të rivendosin lidhjen në mënyrë që njerëzit në Mianmar të komunikojnë me familjet dhe miqtë e tyre dhe të kenë informacion të rëndësishëm”.
Ministria e Komunikimeve dhe Informacionit tha se platforma e mediave sociale do të bllokohet deri në 7 Shkurt.
Udhëheqësja e zgjedhur Aung San Suu Kyi u arrestua pas një grushti shteti dhe policia ka ngritur akuza kundër saj.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres i ka kërkuar bashkësisë botërore të sigurohet që grushti i shtetit i së hënës në Mianmar të dështojë.