Vendosni fjalën kyçe....

Fotomesazhi nga LSI-ja: Sokol Dervishaj është me ne


Dervishaj në kafe me Gurin

Kjo është fotoja me të cilën LSI i përgjigjet deklaratave të Gledion Rehovicës, se Sokol Dervishaj sikurse ai është larguar nga kjo forcë politike. Është një foto që po qarkullon orët e fundit, ku Dervishaj shihet krah drejtueses politike të LSI-së në qarkun e Durrësit, Elona Gurin.

Sot zyra e Shtypit e LSI-së ka shpërndarë një reagim për mediet nga ish-ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, i cili e ka hedhur poshtë deklaratën e Rehovicës.

Ai shprehet se s’ka nevojë për “sufler apo zëdhënës” dhe se po të ishte e vërtetë do kishte dalë vetë për ta dhënë lajmin që e konsideron “Fake News”.

“Me indinjatë lexova një pseudo-lajm që në mënyrë krejt abuzive për një media profesionale është shfaqur si buja e radhës në programin mediatik që ka filluar të dominojë mbi debatin real programor të asaj që duhet të ishte beteja e ideve në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit.

Si njëri nga anëtarët themelues të LSI-së dhe për këdo që më njeh sado pak, unë nuk hyj në kategorinë e njerëzve që kanë nevojë për sufler apo zëdhënës. Nëse do të isha distancuar apo larguar nga partia që kemi bashkë-themeluar me shumë kolegë të nderuar, do të kisha si gjithnjë kurajën të deklarohesha vetë për qëndrimin apo vendimin tim, duke ua bërë këtë të ditur më parë te gjithë atyre që kemi bashkë-udhëtuar këto 17 vite. Por fatkeqësisht për abuzuesit me të vërtetën, kjo gjë nuk ka ndodhur. Pra me pak fjalë, një fake news në vazhdën e një maratone fakenews, që do lexojmë edhe në të ardhmen. Një këshillë miqësore për të gjithë, fokusohuni te programet, idetë, alternativat, se me ato do të ballafaqohemi në zgjedhje dhe jo me lajme të rreme e skupe dite”, thotë Dervishaj në deklaratën e shpërndarë për mediet.

Kujtojmë se Gledion Rehovica, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Spotlight” të Alban Dudushit, pati deklaruar se Dervishaj është larguar nga LSI-ja, pavarësisht se kjo nuk është bërë ende publike. Ky është vetëm një nga sulmet që Rehovica i ka bërë LSI-së, pasi javën që kaloi, Altin Kazazi i cili është kushëri i tij doli sëbashku me të tjerë para kamerave, pa përmendur lidhjen familjare me Rehovicën, se është larguar nga LSI-ja. Madje e akuzoi LSI-në se përfaqëson “interesa të ngushta familjare”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *