Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka njoftuar se vendi i tij do t’i japë fund mbështetjes ushtarake për Arabinë Saudite në Jemen.
Duke folur në një konferencë për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Sullivan vlerësoi përparësitë e politikës së jashtme të presidentit Joe Biden, i cili sot do ta vizitojë Departamentin e Shtetit.
Sullivan deklaroi se SHBA-ja do të riparojë marrëdhëniet e saj me aleatët në një shkallë globale dhe se administrata Biden do të rrisë bashkëpunimin rajonal.
Ai theksoi se administrata e Biden jep përparësi çështjes së Jemenit.
“Sot, presidenti do të njoftojë se SHBA-ja do t’i japë fund mbështetjes së saj për operacionet ushtarake në Jemen”, tha Sullivan.
Nga ana tjetër, Sullivan njoftoi se qeveria amerikane ka ngrirë procesin e filluar gjatë kohës së administratës së ish-presidentit Donald Trump lidhur me tërheqjen e trupave amerikane në Gjermani.
Ish-presidenti amerikan Trump njoftoi në qershor 2020 se numri i ushtarëve amerikanë në Gjermani do të ulet nga 34.500 në 25.000, duke e filluar gjithashtu procesin.