Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut takohet me Bashën: Raportet tona, përtej fqinjësisë së mirë


Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pritur në një takim, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Pas takimit, Basha dhe Osmani dolën në një prononcim të shkurtër për mediet, ku thanë se kishin diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin për integrimin europian dhe sfidat aktuale.

“Kënaqësi të mirëpres doktor Bujar Osmanin, jo për herë të parë. E kam mirëpritur në detyrën e tij si zëvendës kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot si ministër i jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe të bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian të vendit, për sfidat aktuale që po kalojmë me menaxhimin e pandemisë si dhe për domosdoshmërinë për ta forcuar dhe  thelluar këtë bashkëpunim në të ardhmen me qëllim mirëqenien, punësimin e qytetarëve si në Shqipëri dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të vazhduar së bashku rolin tonë si dy vend, si dy shtete të cilat kanë qenë krah për krah në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit  NATO dhe me siguri së shpejti  do të jenë krah për krah në rrugëtimin tonë  të sigurt  drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Natyrisht shpreha qëndrimet e njohura të Partisë Demokratike në mbështetje të rolit të  faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si një faktor stabiliteti, si një garantues i stabilitetit politik i proceseve demokratike, i disa prej proceseve shumë të rëndësishme si Marrëveshja e Prespës që i hapi rrugë më në fund anëtarësimit të plotë të fqinjit tonë lindor në NATO.

 Po kështu edhe në proceset e tjera politike që ka një të bëjnë me integrimin europian të vendit dhe dëshirën dhe vullnetin tonë për të parë  realizimin e plotë dhe të gjithëansëhme të të gjitha masave dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit për sa i përket shqiptarëve të Maqedonisë padiskutim ky është një vokacion i përhershëm i Partisë Demokratike në opozitë dhe në qeveri dhe një  interes madhor i bashkëpunimit midis dy vendeve tona sigurisht dhe një obligim moral, politik dhe kushtetues i Republikës së Shqipërisë për shqiptarët kudo ku jetojnë.”- tha Basha.

Ndërkohë Osmani theksoi se kjo ishte vizita e tij e parë në Shqipëri si ministër i Jashtëm dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve shkojnë përtej fqinjsësisë së mirë.

“E falënderoj zotin Basha për këtë takim miqësor dhe konstruktiv. Është kjo vizita ime e parë zyrtare në Republikën e Shqipërisë si ministër i Jashtëm.

Ashtu siç theksova paraprakisht në takimin e sotëm raportet tona ndërshtetërore moti kanë kaluar nivelin e fqinjësisë së mirë, por janë shndërruar në një partneritet, në një miqësi të përhershme, një mbështetje të ndërsjellë të cilat i tejkalon kufijtë e komunikimit zyrtar, por ka një afërsi ndërmjet njerëzve në dy anët e kufirit, ndërmjet bizneseve, ndërmjet sektorit civil, por edhe natyrisht  institucioneve dhe partive politike dhe krejt kjo në interes të thellimit të bashkëpunimit bilateral por edhe impaktit rajonal që ky bashkëpunim reflekton më tej dhe aspiratave tona euro-atlantike.”– tha Osmani.

Më herët Osmani është takuar me homologen e tij në Shqipëri, Olta Xhaçka, si dhe me presidentin e Republikës Ilir Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *