Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Strasburgut merr vendimin: Shkarkimi i Altina Xhoxhajt është i ligjshëm


Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka konsideruar të ligjshëm shkarkimin nga detyra të anëtares së Gjykatës KushtetueseAltina Xhoxhaj, nga sistemi i Drejtësisë.

Kështu ky është vendimi i parë që jep kjo Gjykatë për procesin e Vettingut në Drejtësi në Shqipëri. 

Vendimi erdhi pas Xhoxhaj ishte ankuar në gjykatë për shkarkimin e saj disa muaj më parë fillimisht nga KPK-ja dhe më pas nga KPA-ja.

Altina Xhoxhaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, u shkarkua nga detyra më 3 maj të vitit 2018. Sipas KPK-së, Xhoxhaj nuk justifikonte dot pasurinë, madje e kishte fshehur atë. Ajo e ankimoi vendimin në KPA, që gjithashtu e nxorri Xhoxhajn jashtë sistemit të drejtësisë.

VENDIMI I STRASBURGUT

Në vendimin e sotëm të trupës gjyqësore të Dhomës në çështjen Xhoxhaj k. Shqipërisë (çështja nr. 15227/19) Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi:

  • me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut,
  • me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave,
  • me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit,
  • me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 përsa I përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare).

Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike.

Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *