Kryebashkiaku Erion Veliaj ka qenë sot në një takim me qytetarët në Kombinat, ku ka hedhur kunja ndaj Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për kandidatët e tyre në këtë njësi administrative dhe në njësinë nr.10.
Veliaj me të qeshur, u tha qytetarëve që të mos e ngacmojnë kreun e FRPD-së Belind Këlliçin, pasi ai ishte dhëndër në PS.
“Partia tjetër ka sjellë në Kombinat atë të FRPD-së. Ai është dhëndër në partinë tonë. Do na shajë sa të kapë vendin në listë, por jam i sigurt që do jetë i pari që do i hidhet Lulit në fyt kur të mbarojnë zgjedhjet me humbjen e tyre të radhës.” – deklaroi Veliaj.
Ndërkohë ndaj kandidates së LSI-së, Veliaj është shprehur më ashpër duke u shprehur se Monika Kryemadhi ka zgjedhur një studente me pesa, duke iu referuar Floida Kërpaçit, e cila është zgjedhur të kandidojë në njësinë 6.
“Shikoni palën tjetër kë ka sjellë: E dëgjoja Monikën kur thoshte: ‘kjo është nxënëse e shkëlqyer, farmacistja me 10-ta’. Pashë dëftesën, ajo ishte me 5-sa. Po pse, ngelësat e Monikës do votojë Kombinati?! I bie që Kombinati të mos ketë pikë dinjiteti për veten e vet që të pranojë se më e mira e shoqërisë sonë është dikush që mbaron me 5-sa. Me 5-sa në kohë pandemie, doktoresha me 5-sa, farmacistja me 5-sa, dhe e kupton pastaj si i kemi punët me këta kundërshtarët tana.”– u shpreh kryebashkiaku Veliaj.