Kreu i PD-së ka thënë pasditen e sotme se opozita e bashkuar po shkon drejt një fitoreje të thellë, historike.
Basha e bëri pohimin gjatë një interviste në Ora News ku theksoi se PD-ka ka sondazhet e saj të brendshme të cilat tregojnë se opozita do marrë një fitore të thellë.
Ai deklaroi gjithashtu se beteja e 25 prillit nuk është mes koalicionit opozitar e pushtetit 8-vjeçar që ka shkatërruar vendin, por është betejë për shqiptarët e fitorja do jetë e të gjithë atyre.
“Nuk ka pikë diskutimi që sondazhi i 25 prillit që është vota masive e shqiptarëve do të tregojë një fitore të thellë ndoshta të paprecedent ose të krahasueshme me proceset më historike të këtyre 30 viteve. Sigurisht edhe ne kemi sondazhet tona të brendshme dhe e dimë fare mirë se opozita dhe PD po shkojnë drejt një fitoreje të thellë. E shohim këtë në entuziazmin e njerëzve kur shkojmë dhe i takojmë jo thjesht për t’ju kërkuar mbështetjen apo për t’ju shpjeguar programin dhe ku nuk mjaftohen vetëm me diskutimet, me dialogun, me pyetje-përgjigjet, por kërkojnë të kontribuojnë sepse e kuptojnë se beteja e 25 prillit nuk është thjesht dhe vetëm një betejë midis koalicionit tonë dhe një pushteti 8 vjeçar që e ka shkatërruar vendin dhe ekonominë e vendit, por është betejë për ta, për familjet e tyre ndaj dhe 25 prilli do të jetë dita e fitores së gjithë shqiptarëve, e familjeve të tyre, dita e fitores së Shqipërisë, jo thjesht dhe vetëm dita e një fitoreje të thellë të koalicionit opozitar dhe PD.” – tha Basha.