Ministrja e Shëndetësisë pohoi sot se në datën 15 shkurt pritet një tjetër sasi vaksinash nga kompania Pfizer. Megjithatë ajo nuk ka asnjë shifër lidhur me sasinë që pritet të vijë, gjë e cila sipas saj do sqarohet në ditët në vijim.
Sipas kontratës së publikuar pak javë më parë nga Gogo.al, në muajin janar duhet të vinin rreth 10 mijë doza të vaksinës së Pfizer kundër Covid-19, por kanë ardhur më pak se 2 mijë të tilla deri tani.
Ndërsa në shkurt parashikohet të vijnë sipas kontratës mbi 30 mijë doza megjithatë numri nuk dihet ende.
“Siç e dimë vaksinat janë arma e vetme në luftën kundër Covid-19. 15 shkurt do jetë data e vaksinave të tjera nga Pfizer. Për sa u përket numrave do informoheni në ditët e javët në vijim.” – tha Manastirliu.
Pak ditë më parë kryeministri Rama tha se qeveria do merrte një sasi prej rreth 140 mijë dozash vaksinë të kompanisë AstraZeneca ndërsa pranoi se për sa i përket kompanisë Pfizer do ketë vonesa në furnizim për shkak të mungesës së stokut.