Kryeministri Rama u ka bërë thirrje qytetarëve e partive politike që të zbatojnë me rigorozitet masat e reja të vendosur në mbledhjen e sotme të Komitetit të Ekspertëve.
Kreu i qeverisë thotë se të gjithë duhet të mbajnë maskën si dhe të shmangin grumbullimet ndërsa shton se ora policore do mbikëqyrer rreptësisht nga policia.
Në mbledhjen e ditës së sotme u vendos që ora policore të jetë nga 6 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes si dhe kthimi online i mësimit në shkollat e mesme, në zonat me rrezikshmëri të lartë.
“MASAT E REJA duhen zbatuar rigorozisht, duke nisur nga partitë politike, pa përjashtim, e deri tek çdo individ që duhet të mbajë maskën kudo jashtë shtëpisë dhe të shmangë çdo grumbullim. Ora policore dhe njësitë tregtare të çdo lloji, do të mbikqyren rreptësisht.
Ju lutem bëni tuajën të gjithë këto dy javë, që masat të lehtësohen e jo rëndohen më tej.
Kufizimi i lëvizjes së popullatës nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. *Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore apo motive pune. Personat që lëvizin për arsye pune pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania.
Kufizimi i aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food dhe lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët, nga ora 20:00 deri në orën 06:00, në të gjithë vendin, nga data 11.02.2021 deri në datën 25.02.2021. *Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm për shërbimin në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar protokollet AntiCovid.
Shkollat e mesme në zonat me risk të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, do të zhvillojnë mësimin online, nga data 11.02.2021 deri në datën 26.02.2021.
Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë të domosdoshme, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.” – shkruan Rama në Facebook.