Reshjet e dëborës së mbrëmjes së kaluar, kanë krijuar probleme me qarkullimin në disa akse rrugore, kryesisht në Korçë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar vetëm pak më herët, ka bërë një njoftim lidhur me gjendjen e akseve kombëtare sot, ndërsa paralajmëron drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm e sidomos gjatë mbrëmjes apo orëve të para të mëngjesit.
Gjendja e Rrugëve:
Gjatë natës kanë filluar reshjet e borës në Qarkun e Kukësit, në Qarkun e Dibrës, në Qarkun e Korçës, në Qafë Mali-Fierzë, në akset e Sarisalltikut dhe Steblevës, shoqëruar me temperatura të ulëta.
Kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve.
Në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, Voskop-Voskopojë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Vazhdon puna me mjete borë pastruese.
Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm, sidomos gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit për shkak të ngricave, të reduktojnë shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.