Një fotografi e planetit Mars e marrë nga sonda e kontraktuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ‘Amal’, nga rreth 25,000 kilometra mbi planet, është publikuar nga qeveria e shtetit arab. Sonda u hodh në hapësirë korrikun e kaluar.
“Imazhi i planetit të kuq përfaqëson një moment përcaktues në historinë tonë dhe shënon Emiratet e Bashkuara Arabe që bashkohen me kombet e përparuara të përfshira në eksplorimin e hapësirës.” – tha Sheik Mohamed bin Zayed Al Nahyan, princi i fuqishëm i Emirateve, duke komentuar lajmet. Fotografitë u morën të mërkurën, menjëherë pasi anija robotike arriti orbitën e saj në Mars.
Emiratet e Bashkuara Arabe krenohen duke qenë kombi i parë arab që dërgon një ekspeditë shkencore në Mars, megjithëse është mbështetur shumë në ekspertizën e huaj për ta bërë këtë. ‘Amal’, që do të thotë ‘Shpresë’ në arabisht, u prodhua në Laboratorin për Fizikën Atmosferike dhe Hapësinore në Kolorado, SHBA, me pjesëmarrjen e inxhinierëve nga Emiratet Arabe.
‘Mitsubishi Heavy Industries’ e Japonisë siguroi një raketë H-IIA për lëshimin e saj, nga Qendra Hapësinore Tanegashima. Sonda po komandohet nga kontrolli i misionit në Mohammed bin Rashid Space Center (MBRSC) në Dubai.
Programi shkencor i Amal përfshin studimin e atmosferës së Marsit dhe mënyrën se si fqinji i ftohtë i Tokës po e humb atë. Sonda pritet të mbetet funksionale për të paktën dy vjet.