Ushtria e Mianmarit ka paralajmëruar protestuesit që po kundërshtojnë grushtin e shtetit në të gjithë vendin, se ata mund të përballen me 20 vjet burg nëse pengojnë forcat e armatosura.
BBC shkruan se do të aplikohen dënime me burg dhe gjoba të larta gjithashtu për ata që zbulohen se nxisin “urrejtje ose përbuzje” ndaj udhëheqësve të grushtit të shtetit.
Ndryshimet ligjore u njoftuan ndërsa automjetet e blinduara u shfaqën në rrugët e disa qyteteve.
Qindra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta ditët e fundit.
Demonstruesit po kërkojnë lirimin nga paraburgimi të udhëheqësve të tyre të zgjedhur, përfshirë Aung San Suu Kyi, dhe rivendosjen e demokracisë në Mianmar, i njohur gjithashtu si Burma.
Të hënën, avokati i zonjës Suu Kyi tha se ajo do të qëndronte në arrestim dhe për dy ditë të tjera. Ajo më pas do të gjykohet përmes lidhjes me video në një gjykatë në kryeqytetin Nay Pyi Taë të mërkurën.
Zonja Suu Kyi u arrestua me anëtarët e tjerë të qeverisë në 1 Shkurt, por paraburgimi i saj pritej të mbaronte në 15 Shkurt.
Akuzat kundër saj përfshijnë posedim të pajisjeve të paligjshme të komunikimit – si radio marrëse dore të përdorura nga stafi i saj i sigurisë.
Partia e saj u zgjodh nëntorin e kaluar, por ushtria ka pretenduar se ka patur mashtrim të votuesve pa dhënë prova.