Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar juntën ushtarake të Mianmarit se “e drejta e tubimit paqësor duhet të respektohet plotësisht”.
Në një telefonatë, e Dërguara e Posaçme e OKB-së Christine Schraner Burgener paralajmëroi se “çdo formë e reagimit të ashpër ka të ngjarë të ketë pasoja të rënda”.
Gjatë protestave, Mianmari vazhdimisht ka ndërprerë aksesin në internet. Sipas BBC-së, pas një ndërprerjeje për një natë të dytë, aksesi në internet në Mianmar u rikthye të martën në mëngjes.
Junta ushtarake e ka bllokuar disa herë rrjetin në përpjekje për të mbytur disidencën që nga grushti i shtetit i 1 shkurtit.
Paralajmërimi i zonjës Schraner Burgener erdhi të hënën gjatë një telefonate me nënkryetarin e juntës Soe Win, tha një zëdhënës i OKB-së.
E dërguara speciale theksoi se ndërprerjet e internetit “minojnë parimet thelbësore demokratike”.
Protestuesit janë mbledhur përsëri herët të marten në grupe të vogla. Ata kanë inkurajuar nëpunësit civilë të bashkohen me lëvizjen e mosbindjes së tyre civile në qytetin kryesor të Yangon.
Më herët, autoritetet ushtarake paralajmëruan se do të merrnin ndëshkime të ashpra ata që kundërshtojnë udhëheqësit e grushtit të shtetit.
Junta ushtarake thotë se i përmbysi udhëheqësit e zgjedhur, me në krye Aung San Suu Kyi, për shkak se kishin mashtruar në zgjedhje. E megjithatë nuk ka paraqitur prova për të mbështetur këto pretendime.