Kreu i PD-së në Kukës, Arid Rexhmati, është gjobitur me 50 milionë pasi sipas policisë ka thyer rregullat anti-covid që janë vendosur nga Komiteti i Ekspertëve.
Njoftimin e ka bërë vetë zyrtari i PD-së me anë të një postimi në Facebook ku shkruan se masa në fjalë nuk ka asnjë bazë apo prove të konstatuar ligjërisht.
Po kështu Rexhmati shkruan se për shkak të mungesës së personelit të policisë, ankimimin e ka lënë te sporteli i pritjes së qytetarëve.
Rexhmati është politikani i gjashtë që gjobitet me 50 milionë lekë, nga të cilët pesë janë të opozitës. Janë gjobitur më herët kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Braimllari, si dhe demokratët Edmond Spaho e Belind Këlliçi.
Nga radhët e mazhorancës është gjobitur ministri i Turizmit, Blendi Klosi.
“Jetojmë fundin e kohës së absurdit të rilindjes! Jo vetëm që masa administrative është absurde, pa asnjë bazë dhe provë të konstatuar ligjërisht, por janë edhe të mangët në njohuritë e hartimit të nje shkrese zyrtare:
Për “dënimin” tim duhet të ankohet pronari i lokalit që kam pirë kafe unë!!!
Ah se për pak harrova, edhe ankesën kundër këtij vendimi absurd nuk ta mbajnë, se nuk kanë personel, ndaj jemi të detyruar ta lëmë tek sporteli i pritjes së qytetarëve tek DVP Kukës.
Kjo nuk është “policia jote”, kjo është “policia e atyre”, të rilindjes së gjobave! Ta ndryshojmë Shqipërinë më 25 prill.” – shkruan Rexhmati në Facebook.