Ndahet nga jeta në mënyrë të papritur dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula.
Lajmi është bërë i ditur në rrjetet sociale nga miq të tij, mes të cilëve kryetari i Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike të Shqipërisë, Kreshnik Çollaku si dhe nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.
“Zot mba dorën! Mba dorën o zot..! Shumë i ri për ta humbur familja, shumë energjik për t’ia hequr jetës, shumë ambicioz për të ikur nga drejtimi i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, shumë bujar për ta ndarë nga shokët e kolegët, shumë e padrejtë mbyllja këtu e rrugëtimit premtues të dekanit të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula. Lamtumirë Shok i dashur!”- shkruan Kumbaro.
Ndërkohë Çollaku shkruan:” U endëm bashkë korridoreve e klasave të së njëjtës shkollë të mesme, e më tej auditoreve të universitetit.., e më pas u bëmë kolegë, më pas ti ishe drejtues i departamentit e së fundmi dekan i fakultetit ku ne studiuam dhe më pas u bëmë profesorë. Në këtë udhëtim përgjatë 30 viteve, nëse student apo profesor, nëse drejtues apo dekan, ti mbete i njëjti, ti mbete i njëjti Turi shok e mik.
Sa herë të takoja harroja se ishe dekani por ai Turi që linim mësimin për të pirë cigare fshehur pas shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, apo për të organizuar ndonjë festë ose dëgjuar muzikë të ndaluar. Vendose të ikësh shpejt,për të lënë pas kujtimin e një shoku e miku të mirë që koha e jeta nuk e ndryshoi kurrë deri në orën e fundit. Lamtumirë Turi, prehu në Paqe të Zotit tani.”
Mësohet se Sula ka humbur jetën për shkak të një hemoragjie celebrale.