Policia ka vënë në pranga një 25-vjeçar nga Korça, i cili akuzohet se ndihmonte shtetas të huaj të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, për të kaluar më pas drejt vendeve të BE-së.
I riu me inicialet F. H., u arrestua në Tiranë ndërsa u kap duke transportuar me një mjet të marrë me qira, dy emigrantë të paligjshëm.
Policia shpalli në kërkim dhe bashkëpunëtorin e tij, një 19-vjeçar me inicialet A.B.
NJOFTIMI I POLICISË
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet, bazuar në informacionet e marra se një 25-vjeçar transportonte me mjet, emigrantë të paligjshëm nga Tirana, me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian, goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin :
- H., 25 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet të marrë me qira, dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. B., 19 vjeç, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit F. H. në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.