Vendosni fjalën kyçe....

Të Dymbëdhjetët e pamjaftueshëm


Nga Aurel Plasari

Nga cikli “Me historinë poshtë nënkresës”

Ja edhe një rast kur historia lexohet për të mësuar: që për të ruajtur lirinë nuk mjaftojnë 12 të panënshtruar përkundrejt 1.238 të nënshtruarve, edhe profesorë qofshin ata.

E ka ofruar një mësim të tillë historie eseisti Giorgio Boatti me librin ‘Preferirei di no. Le storie dei dodici professori che si opposero a Mussolini’ (bot. Einaudi 2001).

“Çikë e nga një çikë”, kjo ka qenë teknika dinake e regjimit fashist për të privuar qytetarët nga liria. Një masë ligjore tani, një masë ligjore pastaj, hiq pak liri këtu, zhvat pak liri atje.

Synimi: që qytetari të mos e ndiejë se ç’po ndodh me lirinë e tij derisa më në fund ta gjejë veten të zhveshur krejtësisht prej saj. Kështu u vunë në funksionim në Italinë fashiste ato masa që njihen si ligjet “fascistissime”.

I pari ndër to, për të siguruar aderimin sa më të rrasët të intelektualëve në regjimin fashist, ishte një ligj i 24 dhjetorit 1925, që kishte për objekt funksionarët shtetërorë, si pjesë e tyre edhe trupën mësimdhënëse. Nëpërmjet tij u largua nga mësimdhënia i pari kontingjent prej 500 vetash, nga rektorë deri mësues shkolle fillore, si “persona të papërshtatshëm” në raport me parimin e formuluar nga vetë Mussolini:

“Në Itali nuk ka vend për antifashistët; ka vend vetëm për fashistët, ndërsa për ‘afashistët’ vetëm kur të jenë qytetarë të ndershëm dhe shembullorë”.

Me ligjin e 28 gushtit 1931 regjimi fashist e shtrëngoi edhe më profesoratin në darën e privimit të lirisë dhe të nënshtrimit; ai i detyronte profesorët universitarë të betoheshin për besnikëri ndaj fashizmit me këtë formulë:

“Betohem t’i jem besnik Mbretit, trashëguesve të tij mbretërorë, dhe Regjimit Fashist, të respektoj besnikërisht Statutin dhe ligjet e tjera të shtetit, të ushtroj detyrën e mësimdhënies dhe të përmbush të gjitha detyrimet akademike me synimin për të formuar qytetarë veprimtarë, të ndershëm e të devotshëm ndaj atdheut dhe Regjimit Fashist. Betohem që nuk bëj pjesë dhe nuk do të bëj pjesë në shoqata ose parti veprimtaria e të cilave nuk përputhet me detyrimet e detyrës sime”.  

Me fjalë më të thjeshta kjo do të thoshte jo vetëm që profesorët duhej të ishin “fashistë”, por atyre u kërkohej të prodhonin nëpër auditorë “fashistë në seri”.

Vetëm 12, ndër 1.250 profesorë gjithsej, nuk iu nënshtruan vullnetit të Duces. Historitë  njerëzore të të dymbëdhjetëve ka mbledhur dhe ka rindërtuar në librin e tij Giorgio Boatti: Dikush i pensionuar përdhunshëm para kohe. Dikush tjetër i shtrënguar të nënshkruante dorëheqjen. Të tjerë të përjashtuar nga mësimdhënia në çdo nivel, madje edhe nga mësimdhënia private në shtëpi. Një tjetër i përndjekur nga kontrollet dhe bastisjet e vijueshme të policisë sekrete fashiste. Tjetri me degdisje në kamp përqendrimi. Ndonjë në burg, ku edhe vdiq. Etj.   

Nëse disa ndër të dymbëdhjetët mund të llogariten për antifashistë, për shembull ata syresh që kishin nënshkruar më 1925 “Manifestin e Intelektualëve Antifashistë” të Benedetto Croce-s, të tjerë e refuzuan një betim të tillë thjesht jo se qenë antifashistë, por sepse ai binte ndesh me ndërgjegjen e tyre profesionale.

Për shembull, siç e shpallte në refuzimin e tij njëri syresh: “Akti im nuk synon të ketë asnjë domethënie politike . Është thjeshtësisht një akt respekti ndaj imperativit kategorik të detyrës”.

Kaq sa për të dalluar se ç’është ndërgjegjja profesionale. 

Të dymbëdhjetët, për shkak të një refuzimi të tillë, humbën jo vetëm karrierën, por edhe lirinë vetjake, shpesh edhe atë familjare. Mbase edhe jetën. Por i qëndruan lirisë së mendimit dhe rezultuan me llogari të qëruara me ndërgjegjen e vet. Ruajtën edhe dinjitetin dhe, përkatësisht, emrin e mirë me të cilin ende sot po kujtohen.

Edhe pse historia – siç thuhet – nuk bëhet me “sikur”, lexuesit e sotëm kanë të drejtën të pyesin: Po sikur, në vitin e largët 1931, të 1.250 profesorët universitarë t’i kishin thënë “jo” betimit fashist, pranimit për t’u nënshtruan dhe, si rrjedhim, për të nënshtruar të tjerët?

Të kuptohemi: “betimi” nuk do të thotë se ata që e kryen atë u bënë të gjithë fashistë të mirëfilltë dhe prodhuan nëpër auditorë “fashistët në seri”. Komunikimi mendor profesor-student nëpër auditorë është shumë më i ndërlikuar, kjo është e sigurt.

Mirëpo mbetet pyetja: Po sikur ajo turmë e stërmadhe profesorësh të mos ia kishin lëshuar lirinë e tyre regjimit fashist, me teknikën e tij të përmendur “çikë e nga një çikë”, a do të kishte përfunduar Italia në atë katastrofë njerëzore në të cilën përfundoi?

Libra si ky i Giorgio Boattit ndihmojnë për të kuptuar sesi përmbysja e demokracive nuk ndodh vetëm me tanke ose me grushte të dhunshme shteti, por edhe duke promovuar “çikë e nga një çikë” fanatizëm mendimi dhe intolerancë mendimi, duke i trajtuar kundërshtarët e mendimit si armiq të shtetit e mandej të popullit dhe duke i skajuar nëpërmjet asaj që quhet në politologji “dhunë strukturore” të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga pushteti. Për të përfunduar me vrasjen e lirisë.

Meqë, si lexuesit e sotëm, as vetë nuk jetoj në Italinë fashiste dhe e di që fashizmi i atëhershëm ka mbetur vetëm nostalgji, është tjetër llogaria që ma provokon historia e të dymbëdhjetëve në rrethana gjithnjë aktuale: Ç’fuqi mund të ketë refuzimi i vetëm 12 profesorëve përkundrejt nënshtrimit të 1.238 të tjerëve?

Një fuqi morale relative, jo më shumë: këtë përgjigje dha historia. Për të ruajtur lirinë – liritë në i daçi në shumës – nuk mjaftuaka qëndresa e disa shumë të pakëve, sado e guximshme dhe e vendosur qoftë ajo. E ka të kotë një shoqëri nëse shpreson ta shpëtojë lirinë e vet vetëm falë qëndresës së atyre disa shumë të pakëve. Për ta thënë ndryshe: nuk mund t’u ngarkohet vetëm disa shumë të pakëve marrja përsipër e përgjegjësive të një shoqërie të tërë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *