Vendosni fjalën kyçe....

Plagosi nënë e bir pas sherrit për parkimin në Durrës, arrestohet i dyshuari


Policia ka vënë në pranga një person të dyshuar, lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Durrës, ku u plagosën me armë zjarri nënë e bir.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 12 të qytetit të Durrësit, ku dyshohet se arsyet e konfliktit lidheshin me një debat mbi vendet e parkimit.

I arrestuari është një 33-vjeçari me inicialet E. J., banues në Peqin. Ai akuzohet se ka plagosur Flamur Çermën dhe nënën e tij, V.Çerma, 51-vjeçe. Ndërkohë që janë shpallur në kërkim dhe vëllai i të dyshuarit shtetasi me inicialet A. J., 34 vjeç si dhe O. N., 28 vjeç. Kjo sepse ata akuzohen se kanë bashkëpunuar me të parin për plagosjen e dy personave.

Nënë e bir ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

DETAJET E POLICISË

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J.

Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.

Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve të shpejta dhe profesionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës , rezultoi se shtetasi E. J. (i arrestuar), pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, pasi rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasin E. J., kanë konsumuar veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç. (vëllai i shtetasit F. Ç.), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *