Bashkëshortja e minatorit Fiqiri Karaj, i cili humbi jetën një ditë më parë pas një aksidenti në minierën e Bulqizës ka kërkuar ndihmë nga shteti.
Në një intervistë për Report TV, Fatbardha Karaj theksoi se familja e tyre prej pesë anëtarësh mbijetonte me rrogën e të shoqit që humbi jetën tragjikisht ditën e djeshme.
“Ka pas punuar në Krastë, atje e mbylli se nuk paguheshin. Kam tre goca, nuk kemi asnjë të ardhur, kam një gocë të sëmurë, me probleme. Çdo dy muaj shkoj në Tiranë. Kërkoj çfarë të jetë e mundur. Shtëpi nuk kam, asgjë nuk kam. Më mori kunata në telefon ajo më gënjeu më tha kam fëmijën e sëmurë dhe unë e mora dhe një herë dhe më thanë pastaj ka vdek burri. Kaq! Nuk thoshte që është vështirë shumë, nuk ankohej asnjëherë. Ka shumë vite që ka punuar. U mundua të futet tek shtetërori dhe nuk u bë gjë dhe u fut tek privati prapë.” – thotë bashkëshortja e të ndjerit.
49-vjeçari u aksidentua një ditë më parë në një galeri në Zonën D të minierës së Bulqizës, ku u godit nga një masiv gurësh duke humbur jetën.
Për aksidentin e rëndë është arrestuar Çaush Duriçi, armatori i galerisë ndërsa po ndiqet në gjendje të lirë Fitim Kaci, me pozicion brigadier i subjektit ku ndodhi ngjarja tragjike.