Princ Harry thotë se ai është detyruar të tërhiqet nga detyrat mbretërore, për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga situata toksike e krijuar nga shtypi britanik.
Gjatë një interviste me James Corden, duka i Sussex-it tha se i ishte “shkatërruar shëndeti mendor” dhe se ai “bëri atë që çdo burrë ose baba do të bënte”.
Pallati Mbretëror konfirmoi javën e kaluar se princi dhe gruaja e tij Meghan nuk do të rinisnin detyrat mbretërore, një vit pasi kishin hequr dorë.
Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan Markle të cilët janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë, u transferuan në Kaliforni me djalin e tyre një vjeçar Archie, pasi njoftuan planin e tyre për t’u larguar nga detyrat mbretërore janarin e kaluar.
Ata thanë në atë kohë se dëshironin të punonin për t’u bërë të pavarur financiarisht.
“Ishte një ambient vërtet i vështirë siç e panë shumë njerëz. Të gjithë e dimë se si mund të jetë shtypi britanik. Dhe kjo po shkatërronte shëndetin tim mendor. Kjo është toksike.”- është shprehur Harry për moderatorin britanik, citon BBC.
Ai tha se “bëri atë që çdo burrë ose baba do të bënte” dhe e largoi familjen e tij, por këmbëngul: “Unë nuk do të largohem kurrë, gjithmonë do të jem duke kontribuar. Jeta ime është shërbim publik”.
I pyetur nga Corden se si e sheh të ardhmen e tij pasi të hiqen kufizimet e bllokimit, duka tha: “Jeta ime do të jetë gjithmonë në lidhje me shërbimin publik dhe Meghan është dakord me këtë”.