Tre persona kanë humbur jetën dhe 426 të tjerë janë konfirmuar me Covid-19 në 24 orët e fundit në Kosovë.
Lajmi është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, i cili ka publikuar rapotin ditor.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.454 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 426 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 3 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Malishevë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (59 vjeç), Prizren 1 rast (78 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 68.777 raste nga 303.652 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.595 raste të vdekjes.”– thuhet në raportin e IKSHPK.
Po gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 205 pacientë ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot ka shkuar 59.643.
Sakaq numri i rasteve aktive është 7.539. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë u kujton qytetarëve 3 masat bazë për t’u mbrojtur nga koronavirusi: “Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!”.