Kryeministri Edi Rama ka ndjekur përsëri sot nga afër procesin e vaksinimit të të moshuarve mbi 80-vjeç, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ai ka njoftuar se brenda dy javëve të para të marsit do të sjellë përmes programit COVAX të OBSH-së, vaksinën AstraZeneca me të cilën do të nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve.
“Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve.”– shkruan Rama.
Ai foli dhe për mundësinë për të sjellë në vend edhe vaksina të tjera dhe tha që gjasat janë të mira, por se nuk dëshiron të flasë para kohe.
“Ajo që mbetet sfida është të sigurojmë një sasi të konsiderueshme dhe shpresoj të kemi lajme të mira shumë shejt. Kontaktet janë të vazhdueshme dhe duket mirë, mirëpo të mos flasim para kohe.”– u shpreh kryeministri.