Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë për të rikandiduar për herë të tretë në zgjedhjet e vitit 2024.
Të dielën, në një konferencë të mbështetësve konservatorë ai tha se nuk kishte në plan të largohej nga partia, e as të niste një parti të tretë.
Argumenti kryesor i Trumpit është se ai është kandidati më i mirë për të fituar në vitin 2024 sepse sipas tij, ai kurrë nuk i humbi zgjedhjet e vitit 2020. Në 90 minuta fjalim, gjysmën e fjalimit Trump e kaloi duke përmendur pretendimet e tij për mashtrim të zgjedhjeve.
“Kush e di? Unë madje mund të vendos t’i rrah për herë të tretë.”- tha Trump, citon Bloomberg.
E pas shumë kritikave ndaj administratës së re të demokratit Joe Biden, ai e mbylli fjalimin duke deklaruar se një Republikan do të fitonte në vitin 2024. Në fund shtoi me një buzëqeshje: “Pyes veten kush mund të jetë ky?”