Në një vendim të paprecedent e paradoksal, Gjykata Kushtetuese ka lënë sot në fuqi një vendim që lejon kompanitë private të auditojnë financat e qeverisjes vendore.
Ligji në fjalë u ankimua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por është hedhur poshtë me vendimin e sotëm.
Po çfarë thotë Neni 50 i ligjit për Auditimin e Jashtëm?
Sipas ligjit, KLSH-ja dhe Ministria e Financave do auditonin së bashku financat e 61 bashkive në vend, por ligji parashikonte se për një pjesë të bashkive që do auditoheshin, do merreshin auditues privat.
Ky ligj në formën që ishte u atakua nga KLSH-ja në Gjykatën Kushtetuese duke u bazuar në dy argumente.
A – Ministria e Financave është vetë subjekt që auditohet nga KLSH-ja
B – Përfshirja e kompanive private është rast i paprecedent, sepse jepen para nga buxheti i shtetit për të kontrolluar financat e qeverisjes vendore nga kompani private.
Nga ligji i lënë sot në fuqi nga Gjykata Kushtetuese ka vetëm dy palë përfituese.
Njëra janë kompanitë private që do përfitojnë para nga buxheti i shtetit për të audituar financat e qeverisjes vendore dhe pala tjetër janë zyrtarët e bashkive të lidhura me qeverinë, që do avokatohen nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave.
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, që ka hedhur poshtë argumentet e KLSH-së për ligjin në fjalë, është një rast i paprecedent. Më poshtë është vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese për ligjin ‘Për financat e qeverisjes vendore’.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 23.02.2021, çështjen me kërkues Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, me objekt: “Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, i nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”. Pezullimi i zbatimit të nenit 50, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 68/2017 “Për financat e qeverisjes vendore”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
– Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Neni 50 i ligjit mbi Auditimin e Jashtëm, që mbetet në fuqi pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese
Neni 50
Auditimi i jashtëm
- Veprimtaria financiare dhe zbatimi i buxhetit vjetor të njësive të vetëqeverisjes vendore u nënshtrohen çdo vit auditimit të jashtëm.
- Auditimi i jashtëm realizohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose auditues të tjerë ligjorë.
- Ministri i Financave dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit përcaktojnë me udhëzim të përbashkët rastet kur auditimi realizohet nga auditues të tjerë ligjorë, si dhe procedurat, afatet dhe standardet e auditimit të jashtëm nga këta auditues.
- Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore e dërgon raportin e auditimit të jashtëm në këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore si pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit vendor. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave.
- Për të gjitha raportet e auditimit të jashtëm, të kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo auditues të tjerë ligjorë, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të raportit të auditimit dhe raporton rregullisht në këshillin e njësisë për progresin në zbatimin e tij.