“Brryli Broadway” ka reaguar në faqen rezervë, pas mbylljes që iu bë faqes së tyre në Facebook lidhur me këtë çështje, duke drejtuar gishtin tek ata që kanë dhënë urdhër për censurimin.
Administratorët e faqes më të njohur të memeve në Facebook, thonë se ata u mbyllën me urdhër nga lart nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj apo dhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Ta paktën kështu sugjeron biseda informale që ata kanë bërë me drejtuesin e kompanisë “Acromax Media” që i ka raportuar duke i akuzuar se nuk ka respektuar “pronësinë intelektuale” për krijimin e memeve. Drejtuesi i kësaj kompanie, Aldor Nini u ka thënë se nuk mundet dot të bëjë asgjë, vetëm në rast se djemtë e “Brrylit” do t’i dërgojnë memet para se t’i postojnë për të marrë miratimin.
“Prej një jave ose më shumë Brryli Broadway gjendet nën sulm të paprecedent nga një kompani e dyshimtë e cila ka marrë detyrën për të asgjësuar çdo zë kritik në rrjete sociale në emër të gjasme ‘të drejtës së autorit’. Kompania ‘Acromax’ Do doja të falenderoj ABC News e cila na dha të drejtën me shkrim për të përdorur pamjet e tyre dhe u duk sikur u qetësuan ujërat disa kohë. Por javën e fundit Acromax nuk do t’ja dijë as për marrëveshjen me ABC News dhë po na sulmon pa mëshirë. Drejtuesi i Acromax është shprehur në komunikime informale se nuk ka çfarë bën, ose duhet që ata të shikojnë përmbatjen e postimeve, (pa u postuar akoma) pastaj të japin leje në duhet apo jo postuar, duke lënë të nënkuptuar se aksioni është me urdhër nga lart, nga Erion Veliaj, ndoshta dhe vet Edi Rama.” – reagojnë administratorët e faqes.
Më tej në njoftim thuhet se ndërsa “Brryli Broadway” censurohet për materialet e tyre, shumë faqe të tjera në rrjetet sociale lejohen të postojnë çfarë të duan, duke akuzuar kompaninë për standard të dyfishtë.
“Është e kotë të shpjegojmë se sa të pafuqishëm jemi përballë një koorporate si Facebook nëse ankohemi prej provincës tonë, Rilindja po përdor trukun ‘Acromax’ për të asgjësuar çdo zë kritik në rrjet. Duke parë edhe standardin e dyfishtë që përdor kompania, me faqet në rrjetet sociale, ku disa postojnë çfarë dëshirojnë, video, foto, apo edhe pjesë filmash nga televizionet që kjo kompani mbron, dhe nuk ka asnjë masë për ta, të bën të kuptosh qartë që kjo e ashtuquajtur kompani e zezë, është e paguar për të na çensuruar. Erion Veliaj dhe Edi Rama në ndryshim nga çdo pushtetar para tyre, e kanë kaluar censurën në tjetër nivel, ata për herë të parë kanë gjet trukun për të bllokuar dhe reagimet në rrjetet sociale. Imagjinoni ça ndodh me televizionet dhe portalet në vend. Por siç gjithmonë themi, mund të mbyllni një faqe, por jo zërin.”– vijon postimi.
Faqja e “Brryli Broadway” u mbyll ditën e djeshme, pas raportimeve që kishte bërë në Facebook kompania me bazë në Gjermani, “Acromax Media” me argumentin për mbrojtjen e të drejtës së autorit të pamjeve të përdorura për meme. Por administratorët e faqes kanë vijuar aktivitetin me memet, duke i publikuar ato në një faqe që kishin patur rezervë.